Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 AGO AGAJ (1897-1994)

Shko poshtë 
3 posters
AutoriMesazh
Mexhid Yvejsi
Anëtar
Anëtar
Mexhid Yvejsi


Male
Numri i postimeve : 429
Age : 73
Vendi : Gjakovë, Kosovë
Registration date : 04/05/2009

AGO AGAJ (1897-1994) Empty
MesazhTitulli: AGO AGAJ (1897-1994)   AGO AGAJ (1897-1994) EmptySun Sep 27, 2009 11:54 pm

AGO AGAJ (1897-1994) U1_AgoAgajAgr. AGO AGAJ (1897-1994)

Nga Mexhid YVEJSI, Gjakovë

Ago Agaj lindi me 7 mars të vitit 1897, në katundin Smokthinë, në Malësi të Vlorës, në Labëri. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, kurse ato të mesme dhe studimet e larta, në degën e agrikulturës, i kreu në Vjenë, Austri.
Në kryeqytetin e Austrisë, në Vjenë, kishte shkue për t’u shkollue në vitin 1909, kur ishte në moshën 12 vjeçare dhe aty qëndroi deri sa diplomoi, në vitin 1917.
Për shkak të Luftës së Parë Botërore nuk kishte mundësi m’u kthye në Shqipni. Për të jetue u detyrue me punue. Një vit punoi si agronom në Moldavi, ndërsa edhe një vit në Poloni. Në vitin 1919 u kthye përmallshëm në Shqipni.
Në vitin 1920 u bashkue me luftëtarët vullnetarë, në krye me Selam Musanë, kundër pushtuesve italianë., deri sa i larguan italianët me turp nga Vlora, nga Shqipnija, që duke ikur, kanë bërtitur, mama mia ...!
Gjithashtu, në vitin 1920, me idealet e rinisë, mori pjesë në Kongresin e Lushnjës, ku iu vunë themelet e Shqipnisë...
Për ngjarjet e qershorit 1924, ndër të tjera, Ago Agaj thotë:
“Unë, edhe pse admiroja Zogun për veprimet e tij, e pashë se Noli ishte idoli ynë i lirisë së bashku me Gurakuqin, Fishtën e Koçulin. Dhe, u bëra me ta. Më ftuan dhe më ngarkuan të organizoja krahinat e Vlorës. I thirra lebërit dhe ata erdhën, më dëgjuan e nuk më kthyen fjalën. U formua batalioni i Vlorës dhe shokët më zgjodhën sekretar. Kështu, të organizuar, arritëm deri në Tiranë. Qëllimi, me sa më dukej mua atëherë, ishte që ta merrnin fuqinë jugorët e jo krahu i veriut. Noli qe historian e poet i mirë, por dështoi për shkak të pazotësisë në politikë. Zogu erdhi afër Tiranës e ai, kryeministri i vendit, i binte fyellit. Kur Noli shkoi në Lidhjen e Kombeve për të kërkuar ndihmë financiare, i thanë të bënte zgjedhjet. Populli duhet të të japë besimin. U kthye në Shqipëri dhe iu drejtua Rusisë për ndihmë. Ajo mezi priste për këtë. Moska nuk kishte përfaqësues të saj në shtetet e Evropës, ndërsa në Tiranë erdhën nja 10-15 organizatorë rusë.”
Kur u ba Shqipnia, Ago Agaj punoi si drejtor shkollash bujqësore nëpër Myzeqe, punoi si agronom kudo që ishte nevoja nëpër atdhe....
Kur ishte nevoja, Ago Agaj shkoi edhe në Mitrovicë, ku u caktue prefekt i qytetit?
Si ndodhi kjo?
Kur me 17 prill 1941, Mbretëria e Jugosllavisë u dorëzue, u pushtue, u coptue, atëherë, Xhafer Deva menjëherë bëri përpjekje të themeloi, të organizoi administratën e Mitrovicës me nëpunës, kryesisht, shqiptarë.....
Prefektura e Mitrovicës, me tri nënprefektura të Vuçitërnës, Podujevës dhe Pazarit të Ri, të banueme me shumicë shqiptare, me kërkesën këmbëngulse të Xhafer Devës, pranë autoriteteve gjermane, gjermanët i kishin dhënë kësaj prefekture pakëz “autonomi” nën Serbi..
.Kjo “provincë autonome” drejtohej nga burra të shquar si Ferhat Draga, Rexhep Mitrovica e Bedri Pejani, por meqë kishte mungesë të madhe kuadërit shqiptarë të përgatitur për administratë, atëherë Xhafer Deva kërkoj ndihmë nga Tirana, Shqipnia...
Ndër të parët që erdhën në Kosovë ishte Ago Agaj, sepse e donte shumë Kosovën, me vete kishte një grup specialistësh vullnetarë shqiptarë, si nëpunësa finance, mësues, veterinerë, infermerë, doktorë etj..
Si prefekt i Mitrovicës, Ago Agaj jo vetëm që punoi me ndershmëri, por edhe e organizoi luftën, e luftoi kundër bandave çetnike deri në Serbi...
Një kohë, gjatë Luftës së Dytë Botorëre, në vitin 1943, Ago Agaj ka shërbye në Tiranë si Ministër Ekonomisë Kombëtare ...
Kur komunistët e morrën pushtetin në Shqipni dhe e vendosën diktaturën staliniste, si shumë atdhetarë shqiptarë, Ago Agaj u largue nga Shqipnia dhe për disa vjet jetoi në Itali, Egjipt e Libi. Prej kontinentin afrikan u shpërngul në kontinentin amerikan....
Ago Agajn, këtë figurë të shquar, për herë të parë e kam takuar, me një gëzim të pa përshkruar....! E kam takuar me 5 shtator 1973 në Teqenë Bektashiane në Taylor, afër Detroit-it, në shtetin Michigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës...
Baba Rexheb Beqiri (1901-1995) ishte ai që na njohtojë....Isha duke lexuar në bibliotekën e teqesë kur erdhi Baba Rexhebi e më tha me përzemërsi: “Mexhid, të lutem, lëre librin pakëz, eja me mua, më muarr për dore dhe zbritëm në kuzhinën e teqesë, ku Ago Agaj ishte duke pirë kafe me Dervish Arshiun e Baba Bajramin, dhe më tha: “Ja, ky është z.Aga Agaj, kosovar nga Vlora! Të gjithë qeshëm...” Atëherë iu drejtue z.Ago duke i thanë: Ky djal është Mexhid Yvejsi, nga Gjakova, vendlindja e Baba Bajramit...”
Në fillim nuk e kuptova, as që kisha idenë se si mund të quhet një vlonjat kosovar...!
Por, brenda ditës, në muhabet e sipër, mësova aq shumë prej tij, sa nuk e përmbledhë anjë enciklopedi...!
Në mbrëmje, z.Aga Agaj më dha dorëshkrimin e librit :Miloshi Heroi i Kosovës” duke më thënë: “Lexoni e pastaj bisedojmë!”
E lexova brenda natës, nuk fjeta tërë natën! Një libër i vogël, por me vlerë të madhe...
Të nesërmen ia dorëzova, duke i thënë: Mash’Allah! T’lumshin duert! Atëherë, z.Ago më thotë: “Lum qofsh! A keni mundësi me më ndihmue rreth librit, para se ta botoi? Më duhen disa fotografi nga vendi i ngjarjes, ku u zhvillue Beteja e Kosovës..? Po, kjo punë u krye, iu përgjigja! U gëzue shumë e më përqafoi fortë!
Brenda muajit më erdhën nga Amserdami mbi tridhjetë fotografi në një zarfë, që i kishte fotografue një shok i imi , atëherë student i drejtësisë në Universitetin e Prishtinës, Fatmir Rudi, nga Gjakova, i cili i kishte fotografue vendet kryesore, kurse filmin e kishte dërgue në Amsderdam, për çështje sigurie dhe aty fotografitë janë zhvillue, prej atyhit më janë dërgue...!
Z.Ago Agaj ishte një burrë i rrallë, i sjellshëm, i kulturuem, besimtar, atdhetar, i ditur, i ndritur, kishte pak fjalë edhe pse ishte një enciklopedi e gjallë...!
Herë pas here shkruente e botonte punime, studime, në revistat e hueja, në veçanti, gjermane, por edhe në shtypin e mërgimit si “Shejzat” e Romës, “Dielli” e Bostonit etj.
Përmbajtja e shkrimeve të tij përfshijnë disa lëmi: si studime historike, gjurmime folklorike, kujtime etj.
Përveç librit : “Miloshi Heroi i Kosovës” (Legjendë- kronika e përkthime), ka botuar edhe librin përmendore “Lufta e Vlorës”, një enciklopedi e trimërisë, një shembëlltyrë se si shkruhen ngjarjet e historisë...
Ago Agaj ndrroi jetë me 24 dhjetor 1994, në Clearwater të shtetit Florida, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në moshën 97 vjeçare. Gati një shekull jetë-në shërbim të Shqipnisë së vërtetë...

Mexhid Yvejsi, Gjakovë
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Medalim
Anëtar aktiv
Anëtar aktiv
Medalim


Male
Numri i postimeve : 610
Age : 70
Vendi : Shqypeni
Registration date : 06/12/2008

AGO AGAJ (1897-1994) Empty
MesazhTitulli: Re: AGO AGAJ (1897-1994)   AGO AGAJ (1897-1994) EmptyMon Oct 12, 2009 10:07 am

Ago Agaj, “vlonjati i Kosovës” që qeverisi Mitrovicën

Clearwater (Florida)

Kishte disa muaj që po e kërkoja me ngulm Ago Agajn dhe askush nuk po më ndihmonte dot për të gjetur adresën e tij. U rashë telefonave në të katër anët e kontinentit ku jetonin shqiptarët, pyeta individë e shoqata në New York e qytete të tjera, por pa rezultat. Disa më thoshin se jeton në New York, ca të tjerë më këshillonin që të pyesja Baba Rexhebin se ai mund të më çonte në gjurmët e Agos.

-Para dy vjetësh është vendosur në Florida, - më tha në telefon kryetari i Teqesë.

Në Florida? Një fjalë goje. Në Jug apo në Veri. Po ec e gjeje tani se në cilën pjesë të atij sheti jeton.

Por, nuk thonë kot se rastësia shpesh është mbreti i gjithçkaje.

Ishte qershori i vitit 1993, kur shkova në Clearwater (Florida) për të shkruar diçka për komunitetin që jetonte atje. E kishim shtruar bisedën në “Palace Family Restaurant” me një grup bashkatdhetarësh. Pyeta edhe këtu, siç e kisha bërë shumë herë të tjera, nëse e dinte kush se ku jetonte Ago Agaj.

- E di unë, - tha me nxitim pronari i restorantit, Shemzi Balla. - Jeton në një shtëpi pleqsh, nja katër milje larg prej këtu. Nëse doni, mund t’ju çoj me makinë...

Unë sikur nuk doja t’u besoja veshëve. Më ngjante se u çlirova nga një peshë e rëndë, pas një kërkimi aq të gjatë.

- Sa më parë që të jetë e mundur, - thashë pa u menduar fare.



***

Makina çante përpara me shpejtësi duke lënë pas automjetet, shtëpitë dhe drurët që parakalonin si në ekran. Shemzi Balla me duart në timon, herë-herë hidhte ndonjë fjalë sa për të thyer heshtjen:

- Ago Agaj është plakur, 96 vjeç, por duket ende i fortë. Me sytë nuk është mirë, por mendjen e ka lot të kthjellët. Do të gëzohet shumë për vizitën që do t’i bëni...

Dritat elektrike në trotura tregoni se dita po thyhej.

- Arritëm. Kjo është shtëpia e pleqve, - bëri me dorë Shemziu drejt një ndërtese që dukej si e përhumbur midis të tjerave që e rrethonin.

Po trokiste nata kur ne arritëm dyert e saj në rrugën Betty Lane. Dy pleq, në dy skaje të hyrjes së kësaj shtëpie, ulur në karroca, po flisnin me vete, sikur të kishin përpara një grumbull njerëzish që i dëgjonin me vëmendje. Fjalët i shoqëronin me ndonjë dënesje dhe lëvizje duarsh në formë të pakontrolluar.

Pasi njoftuam se kë kërkonim, shkuan ta marrin. Pas pak kohe Ago Agaj po vinte në karrocë, me një shikim të papërqendruar, i shoqëruar nga kujdestarja e shtëpisë. Karrocën e shtynte gruaja, por ai përpiqej ta bënte edhe vetë këtë punë.

- Ku janë? - pyeti ai kur rrotat e para të karrocës puthën betonin e pjesë së jashtme të ndërtesës.

- Jemi këtu, - iu përgjigjëm njëherazi.

Pasi u përqafua me ne, nxori shaminë, hoqi syzet me xham të trashë dhe fshiu lotët. Pastaj, me dorën e djathtë, nxori një cigare nga pakoja në xhepin e majtë të këmishës, një tel të hollë dhe cigarishten.

- Nuk do të vdes pa u çliruar Kosova, - tha ndërsa po bëhej gati të ndizte cigaren. - Nuk kalon natë pa derdhur lot për atë pjesë të Shqipërisë etnike, e cila po shtypet nga thundra e serbit. Pa më tregoni, ç’të reja kemi atje këto ditë? - pyeti me një zë të shuar që mezi dëgjohej.

Folëm për gjendjen në Kosovë. Ai dëgjonte me vëmendje. Dukej se po përshkohej nga një ndjenjë kënaqësie për qëndresën e shqiptarëve. Kur pushova së foluri, ai mori frymë thellë dhe lëshoi një rënkim të zgjatur:

- Më kanë lënë sytë. Mezi shoh. Deri para ca muajsh e kaloja kohën duke lexuar libra e gazeta. Tani lajmet e ditës m’i japin nipi dhe im vëlla që vijnë këtu çdo ditë. Sot më duket se ka ardhur gazeta “Illyria”. Pa më thoni, kush është ai njeri që boton gazetën?

I tregova shkurtimisht për botuesin, për punën që bën redaksia e për shpërndarjen e saj në të katër anët e botës. Ai sikur nuk ngopej me atë që po dëgjonte e kërkonte të tjera.

- I çoni botuesit dhe anëtarëve të redaksisë përgëzimet e mia për gazetën. Ua them pa rezerva se keni një gazetë të shkëlqyer. Është fat i madh që e kemi.

Kështu filloi biseda me Agon. Pasi piu një gotë ujë dhe e çoi deri në fund cigaren që e thithte me aq ëndje, i kërkova të më tregonte diçka nga jeta e vet. Isha i papërgatitur për këtë intervistë, ngaqë nuk e prisja se do ta takoja këtë njeri që kishte lindur në shekullin e kaluar e po i afrohej fundit të këtij shekulli. Ai heshti për pak çaste. Pastaj treti vështrimin diku, si të ndillte kujtimet, larg nga vendlindja e tij:

- Kam lindur në Malësi të Vlorës, në Labëri, më 7 mars, 1897. Mësimet e para i mora në vendlindje, ato të lartat në Vjenë në degën e agrokulturës. Në Vjenë shkova më 1909. “Harro armët e qendisura me serm të të parëve tu! Nuk ke të bësh më me ato”, më thanë atje. “Ti do t’i shtrohesh punës që të përpiqesh për vete, për familjen dhe për atdheun tënd. Duhet të mësosh”. Si mbarova shkollën e agrokulturës, nuk munda të kthehesha në Shqipëri për shkak të luftës. Punova një vit në Moldavi e një vit në Poloni. Në Shqipëri u ktheva vetëm më 1919. Menjëherë iu bashkova patriotëve të kohës së luftonin kundër pushtuesit italian. Mora pjesë në Kongresin e Lushnjës dhe në Luftën e përgjakshme të Vlorës, më 1920. Përkraha Revolucionin Demokratik të Qershorit, më 1924. Disa vite punova agronom në Shqipëri dhe në Kosovë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore kam qenë ministër i bujqësisë. Kur gjermanët kontrollonin një pjesë të Kosovës, shkova vullnetar në Mitrovicë, ku më emëruan prefekt të qytetit. Në qershor 1944 mora pjesë në mbledhjen e Dytë të Lidhjes së Prizrenit. Po atë vit u arratisa nga vendlindja. Njëzet vjet jetova në Egjipt prej nga emigrova në Amerikë.

Ago Agaj e tregoi shkurt e me një frymë biografinë e vet, pa stërhollime, pa detaje e pa mburrje.

Por, unë doja më shumë. Mezi e kisha pritur takimin me këtë njeri, që kishte përjetuar gjithë ato ngjarje të rëndësishme. Ndaj dhe nuk u kënaqa sa duhet me stilin e tij tepër telegrafik. Nisa ta pyes përsëri duke u përpjekur të gërmoj hollësi të tjera nga jeta e tij e gjatë dhe e pasur. Ago Agaj më dëgjon me vëmendje dhe pranon me kënaqësi. Është tepër i saktë. Ai nuk ka nevojë të “korrigjojë” veten. Nuk i ngatërron as datat, as njerëzit. Është vërtet për t’u habitur: një 96-vjeçar me një kujtesë të tillë!

Biseda rrodhi e qetë nëpër lumin e ngjarjeve, që personazhi ynë kishte përjetuar. Ja si më tregoi një ngjarje që kishte ndodhur menjëherë pas kthimit në atdhe:

- Ishte 28 nëntori i 1920-ës, - tha ai. - Karabinieria italiane u ndesh me vlonjatët e paarmatosur. Kërkonin t’u merrnin flamurin shqiptarëve, të cilin e mbante në dorë një burrë nga Kumanova. Karabinierët e rrëzuan përtokë kumanovarin dhe e shqyen flamurin copë-copë. Njëri nga oficerët mori një pjesë të flamurit, ia lidhi qenit të tij për bishti dhe e shëtiti nëpër Vlorë. Atëherë vlonjatët shpërthyen. Filloi rezistenca për shpëtimin e Vlorës, sepse ajo dhe Tepelena kishin mbetur si pjesë e pandashme e Italisë. Këto pjesë Italia i kishte fituar kur tradhëtoi lidhjen austro-gjermane dhe u kthye me aleatët. E gjithë Shqipëria u deklarua më vete, por gjithmonë me një qeveri proitaliane në Durrës. Në janar të vitit 1920 u bë Kongresi i Lushnjës. Në Kongres u vendos për pavarësinë e Shqipërisë dhe rrëzimin e kabinetit të Durrësit. Kongresi i Lushnjës qe një akt me rëndësi të madhe, sepse rrëzoi kabinetin italian të Turhan Pashës. Në këtë mbledhje, Mustafa Kruja foli me lot në faqe: “Unë, tha ai, votoj për Turhan Pashën, domethënë për Italinë, sepse ajo është në rrezik e do të na hajë ngadalë, kurse serbi do të na shfarosë menjëherë”. Atëherë u ngrit Mehmet Konica dhe tha se Italia duhet të dalë nga Vlora sepse po qëndroi ajo këtu, Jugun do ta marrë Greqia dhe atëherë ç’mbetet për Shqipërinë? Dhe ai dha dorëheqje bashkë me dr.Turtullin. Pastaj filloi Lufta e Vlorës.

- Unë kam marrë pjesë në atë luftë, - tregon Agaj. - Heronjtë e luftës kundër italianëve qenë kryesisht vlonjatët. Në ndihmë na erdhi edhe Hysni Toska nga Mallkastra, me njerëzit e tij dhe zuri frontin verior. Frontet e tjera i mbanin jugorët. Kishim nevojë të madhe për ushqim. Vlonjatët atë vit nuk e punuan tokën, sepse ishin në luftë. Gruri mbeti në ara në pritje të drapërit pa u korrur. Xhafer Ypi, prefekt i Beratit, na dërgonte misër me qerre dhe kjo e zbuti pak rrezikun e urisë. Vlonjatët s’kishin asgjë përveç guximit të tyre, dëshirës për liri e atdhe. Pra, Lufta e Vlorës është dhe mbetet një faqe e ndritur e historisë. Për këtë ngjarje kam shkruar një libër, - thotë Ago Agaj.

- Më 1924 ndodhi Revolucioni Demokratik i Qershorit. Si e përjetuat atë ngjarje? - e pyes z.Agaj.

- Unë, edhe pse admiroja Zogun për veprimet e tij, e pashë se Noli ishte idoli ynë i lirisë së bashku me Gurakuqin, Fishtën e Koculin. Dhe, u bëra me ta. Më ftuan dhe më ngarkuan të organizoja krahinat e Vlorës. I thirra lebërit dhe ata erdhën, më dëgjuan e nuk më kthyen fjalën. U formua batalioni i Vlorës dhe shokët më zgjodhën sekretar. Kështu, të organizuar, arritëm deri në Tiranë. Qëllimi, me sa më dukej mua atëherë, ishte që ta merrnin fuqinë jugorët e jo krahu i veriut. Noli qe historian e poet i mirë, por dështoi për shkak të pazotësisë në politikë. Zogu erdhi afër Tiranës e ai, kryeministri i vendit, i binte fyellit. Kur imzot Noli shkoi në Lidhjen e Kombeve për të kërkuar ndihmë financiare, i thanë të bënte zgjedhjet. Populli duhet të të japë besimin. U kthye në Shqipëri dhe iu drejtua Rusisë për ndihmë. Ajo mezi priste për këtë. Moska nuk kishte përfaqësues të saj në shtetet e Evropës, ndërsa në Tiranë erdhën njga 10-15 organizatorë rusë. Tani vonë është dëgjuar nga përkrahësit e Nolit se ata i solli ministri i jashtëm, Gurakuqi. Kjo lëvizje shqetësoi Italinë dhe shtetet e tjera, të cilat ndërhynë pranë Serbisë që të përkrahte Zogun. Dhe e përkrahën me paratë e kompanive të vajgurit.

- Kush i vrau Luigj Gurakuqin dhe Bajram Currin?

- Për Luigj Gurakuqin puna është kështu. Siç ka dalë nga aktet rezervate britanike, ambasadori anglez u përpoq që kryengritja e vitit 1924 në Shqipëri të mos bëhej dhe e pa se çelësi i kryengritjes ishte Shkodra. Vajti në Shkodër, foli me Gurakuqin dhe raportoi: “U mundova, por Gurakuqi është në anën e Italisë”. Luigji (Gurakuqi) u arratis në Itali dhe Zogu mendoi se, si mik i italianëve, do ta rrëzonte nga froni. Gurakuqin e vrau një shkodran, i vëllai i Tom Stambollës. Emrin nuk ia di.

- Po Bajram Currin?

- Zogu nuk ka dorë në vrasjen e tij. Nuk e vriste ai Bajram Currin, një patriot të admiruar në Malësi të Gjakovës. Bile ai dërgoi një grup xhandarësh ta merrte në dorëzim. Ai u vra nga bejlerët e Gjakovës në pabesi, në shpellë. Vrasësit u takuan në Gjakovë me një oficer të thjeshtë, të dalë prej shkollës italiane me emrin Ibrahim. Ata i thanë oficerit se bejlerët u kishin premtuar njëmijë napoleona, por 500 i mbajtën për vete e 500 na i dhanë.

Dua që me këtë rast të jap një vlerësim për figurën e madhe të Ahmet Zogut. Vendi i tij në histori është në shkallën më të lartë. E dini atë këngën: “Rroftë Ahmet Zogu, rroftë shpëtimtari i mëmëdheut/Brez pas brezi u kujtoftë/Nip stërnip i Skënderbeut...” Kjo këngë këndohej që kur Zogu ishte ministër i Punëve të Brendshme. Një korçar e shkroi këtë poezi, e cila më vonë u bë edhe këngë.

Ndërrojmë temën e bisedës. Ago Agaj ka dëshirë t’i rikthehet Kosovës. Si zor të ketë tjetër dëshmitar të gjallë që mund të përshkruajë gjendjen e kësaj treve nën pushtimin gjerman, apo luftërat e Shaban Polluzhës kundër çetnikëve të Drazha Mihajlloviçit. Bashkëbiseduesi ynë ka marrë pjesë vetë në luftë dhe i ka parë me sy tmerret e saj. Ka qenë në krye të administratës së Mitrovicës dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Xhafer Devës.

- Desha me këtë rast që edhe juve t’ju rrëfej për trimëritë e kosovarëve kundër serbëve, sidomos të Shaban Polluzhës e të Mehmet Gradicës. Burra të mirë e trima kanë qenë. Kemi luftuar bashkë. Kur unë isha prefekt i Mitrovicës gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe gjermanët erdhën në Kosovë, këta patriotë më erdhën në ndihmë, se Mitrovica nuk mund ta bënte vetë luftën. Ja, edhe këtu i ke në libër, - tha Agaj duke më zgjatur librin “Xhafer Deva - Jeta dhe veprimtaria”.

Gjithë veprimtarinë e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, ai e ka përshkruar me një stil të ngrohtë në disa faqe libri.

“Në vjetin 1924, në mbarim të udhëtimit t’im të parë rreth e rrotull, mal më mal e grykë më grykë të Shqipërisë, dolla dhe në majë të malit të Bishtrikut prej ku me dylbi kundrova me mall Kosovën”, fillon shkrimi i tij dhe vazhdon: “Dashurinë për këtë vend m’a kishte mbjellë në shpirt kur isha pothuaj hala fëmijë, Kolë Margjini që m’u bë si vëllaj i math në Vjenë dhe më vonë do të bëhej profesor - martir i shqipëtarizmës në Prizren, viktimë e sllavokomunizmës. Ai dhe Dervish Hima më tregonin dhe trimëritë e luanit të Dardanisë, Isa Boletinit, që ahere ish bërë legjendë e gjallë në tërë Evropën”.

Kështu i lindi dashuria Ago Agajt për Kosovën. Kur ajo u bashkua me Shqipërinë gjatë Luftës së Dytë, pjesa më veriore e saj, prefektura e Mitrovicës, kishte mbetur si provincë autonome nën Serbinë. Kjo provincë përfshinte dhe tri nënprefektura: Vushtrrinë, Podujevën dhe Pazarin e Ri me popullsi shumicë shqiptare. Shkaku që ajo ishte shkëputur nga Kosova qenë minierat e pasura të Trepçës për të cilat Gjermania, sidomos gjatë luftës, kishte nevojë të madhe dhe nuk mund t’i linte në dorën e Italisë që sundonte Shqipërinë bashkë me Kosovën, pas bashkimit të tyre. Autoritetet gjermane, të nxitura energjikisht nga Xhafer Deva, i kishin akorduar kësaj province shqiptare që drejtohej nga Ferhat Draga, Rexhep Mitrovica e Bedri Pejani, një autonomi, e cila ekzistonte në kartë, por nuk ishte vënë asnjëherë në zbatim për shumë arsye. Një nga shkaqet ishte mungesa e elementit shqiptar të përgatitur për administratë. Ago Agaj me një grup specialistësh vullnetarë nga Shqipëria si, veterinerë, doktorë, mësues, nëpunësa finance etj., vendosën të shkonin atje për të ndihmuar në organizimin e prefekturës.

Në këtë libër ai ka shkruar edhe për shumë ngjarje të tjera të asaj kohe që mund t’u hynin në punë historianëve për të ndriçuar këtë periudhë deri dje të mjegulluar apo të trajtuar në mënyrë të njëanëshme. Aty mund të mësojmë për Xhafer Devën “shqiptarin më të shkëlqyer të gjeneratës së tij”; për Shaban Polluzhën “viganin kokëlidhur si rugovasit me fytyrë të ngrysur, ekspresioni i së cilës nuk të lejonte t’ia bëje fjalën dy”; Asllan Boletinin, djalin më të ri të Isa Boletinit, që ishte “Isai i përtëritur, me sytë e mëdhenj plot flakë” dhe për më shumë bij të tjerë të nderuar të kësaj zone; për luftën e shqiptarëve kundër çetnikëve e për heroizmin e tyre, për përpjekjet e Ago Agajt për të nxjerrë në shesh intrigat serbe në sytë e gjermanëve etj.

Disa ditë pasi arriti në Mitrovicë, Ago Agaj qe dëshmitar i një gjykimi të tre shqiptarëve, të cilët akuzoheshin se gjoja kishin vrarë disa ushtarë gjermanë. Jeta e tre fshatarëve varej nga vendimi që do të merrnin gjykatësit gjermanë, ndërkohë që, siç do të vërente Agaj, përkthimi i fjalës së të akuzuarve ishte i gabuar.

- Qëndrimi i oficerëve sa vinte e dukej më i ashpërsuar, ndërsa fshatarët, nga ana tjetër, po mërziteshin e po shqetësoheshin përherë e më tepër. Sa e kuptova situatën dhe konstatova se acarimi po vinte si pasojë e përkthimit të gabuar, unë nuk durova dot më pa e vënë në dukje me zë të lartë këtë gabim, që mund t’u kushtonte jetën shqiptarëve. Atëherë kërkuan që të përktheja unë. Procesi nisi përsëri dhe fshatarët dolën të pafajshëm. Populli u ngrit në këmbë nga gëzimi. Ajo që më bëri përshtypje e më gëzoi ishte mirëkuptimi që treguan gjermanët. Dukej që ata nuk kishin mëri ndaj nesh dhe nuk dëshironin që të dënoheshin shqiptarët e pafajshëm, - tregon Agaj, i cili dita-ditës po bëhej më shumë popullor në mes kosovarëve me të cilët ai bashkëpunoi aq mirë sa që sot, kur kujton atë kohë, nuk përmbahet nga emocionet.

Deri tani nuk ia kishte treguar kujt këto ngjarje. Prej shumë vitesh ai po jetonte me veten e tij e me kujtimet e së kaluarës në këtë shtëpi, i vetmuar, i zhytur në mendime, natën e ditën. Bashkëkohësit e tij nuk janë më në këtë botë.

- Më falni se jam i emocionuar, - tha ai dhe filloi të fshinte lotët që i rridhnin fytyrës. - Pleqëria bën të vetën. A e dini si thonin dikur? “Si plak njëqind vjeç”. Unë jetoj këtu i vetëm. S’kam me kë të flas. Shok kam veten time, asnjë tjetër. Më duket se jam kështu qysh prej njëqind vjetësh...

- Të gjithë jemi nga pak të emocionuar, - ia ktheu Shemzi Balla.

- Shqiptarët përherë më kanë konsideruar më shumë si kosovar, se sa si vlonjat dhe shumë prej tyre më kanë quajtur “vlonjati nga Kosova”. Mendoj se Ismail Qemali pati të drejtë që u përpoq më shumë për Vilajetin e Kosovës, se sa për atë të Janinës. Mbreti Zog më ka thënë njëherë se po të kishte Kosovën me vete, Italia nuk do të guxonte ta sulmonte. Shqipëria e ka Kosovën si mburojë. Ajo ka tri gryka: Grykën e Ibrit, të Çakorrit dhe atë të Kaçanikut. Po zure ato, s’ka pse të bën syri tërr! Kur u shpall pavarësia e Shqiprisë, aty qenë përfaqësues nga të gjitha anët e Shqipërisë etnike. Përfaqësues i Kosovës ka qenë emëruar Mit’hat Bej Frashëri. Aty ishte edhe Isa Boletini, ai që tha se kush prek Ismail Qemalin, më prek mua. Kush përpiqet ta vrasë atë, unë e shfaros. I dha kështu Ismail Qemalit përkrahje morale dhe vajti për të ndaluar ushtrinë turke që të mos futej në Vlorë. Kemi edhe Hasan Prishtinën që ka luajtur rol të madh për pavarësinë e Shqipërisë. Ka qenë edhe Sali Gjuka, një patriot nga Peja, i cili vdiq në Berat si drejtor i arsimit. Kosovarët qenë ata që thyen ushtrinë turke më 1912. U futën në Shkup dhe u sollën aq mirë, sa që të huajt që ishin atje, u habitën për rregullin dhe disiplinën e tyre. Të gjitha luftërat e kryengritjet që janë bërë në Kosovë, kanë qenë të orientuara drejt pavarësisë. Më e madhja ishte ajo e vitit 1912. Mustafa Kruja, kur nisi kjo luftë, i veshur malësorçe, me 12 veta shkoi e mori pjesë në të. Kur mbaroi ajo, u kthye nëpër Mirditë. Por, nuk duhet harruar se Dedë Gjo’ Luli hapi luftën para krahinave të tjera, - fliste Ago Agaj dhe solli sërish ndër mend kohën kur vajti për të ndihmuar shqiptarët në Mitrovicë që po luftonin kundër çetave të Drazha Mihajlloviçit.

- Në parlamentin serb ishte bërë zhurmë e madhe se gjoja shqiptarët e provincës së Mitrovicës paskëshin djegur një fshat serb dhe se paskan vrarë e masakruar shumë civilë. Komiteti shqiptar i provincës më ngarkoi mua për të vajtur në këtë fshat e për të raportuar se si ishte gjendja. U nisa dhe, pa arritur akoma atje, takova në rrugë shqiptarët që po largoheshin nga shtëpitë e veta. Fshatin e këtyre të mjerëve e kishin djegur çetnikët, ndërkohë që asnjë katund serb nuk ishte shkatërruar prej shqiptarëve. Më treguan se zjarrvënësit ishin prej çetave të Vojvodë Kosta Peçanit. Raportin ia dërgova komitetit shqiptar që udhëhiqte Mitrovicën dhe, sipas sugjerimit të tij, e përktheva dhe ia dorëzova komandantit gjerman, Rittmeister Friedrichs, i cili shprehu kënaqësinë për saktësinë dhe vërtetësinë e tij, - tregon Agaj. - Komandanti gjerman dhe oficerët, për të shkuar punët më mirë meqë unë kisha fituar në dy mbledhje simpatinë e popullit, më propozuan që të emërohesha prefekt i Mitrovicës. I këtij mendimi ishte dhe Xhafer Deva, i cili më premtoi se do të më ndihmonte e do të bashkëpunonte me mua. Propozimin e gjermanëve e pranoi edhe Komiteti.

Ago Agaj menjëherë filloi shqiptarizimin e administratës. Kryetar gjyqi caktoi Shefqet Shkupin, prokuror, Kudret Kokoshin dhe të tjerë, të gjithë të ardhur si vullnetarë nga Shqipëria. Në postin e komandantit të xhandarmërisë ai emëroi djalin e Isa Boletinit, Bajazitin. Nuk kaloi shumë kohë dhe vlonjati, që iu besua detyra e prefektit të Mitrovicës, u gjend në një situatë të papritur. Forcat e Drazha Mihajlloviçit sulmuan postën e xhandarmërisë në Banjskë. U nisën lajmëtarët, në këmbë e me kuaj, për të dhënë kushtrimin në gjithë rrethin: “Burrë për derë që ka armë, të paraqitet sa më parë para prefekturës, natë ose ditë qoftë, se na ka sulmuar Drazha Mihajlloviçi”.

“Në këtë kohë, një dorë gushkuqër, të komanduar prej nëntogerit Mehmet Gradica, arritën në Banjskë dhe me sulm të tërbuar, si vetëm burrat e Llapit mund të bëjnë, e zunë ditën në drekë postkomandën. Vetëm pak ushtarë të Drazhës mundën të shpëtonin. Kufomat e xhandarëve tanë të vrarë nga çetnikët nuk ishin varrosur akoma. Qenë hedhur së bashku pranë rrëkesë, pasi u kishin prerë hundë e buzë e bërë të tjera shëmtime. Pasi u fotografuan, u varrosën. Më tej u varrosën edhe çetnikët serbë, por të pacënuar. Kurrë nuk kam mundur të kuptoj këtë zakon të shëmtimit të armiqve të vrarë nga ana e serbëve. Feja krishterë nuk e lejon këtë dhe besoj se do të jetë trashëgim i kohëve pagane sjellë prej stepave të Azisë. Një oficer serb më ka treguar se serbët edhe mbretin e tyre, Aleksandër Obrenoviçin dhe të shoqen e tij, Dragen, kështu i kanë shëmtuar kur i vranë”, shkruan në librin e tij Ago Agaj. Ai bashkë me Xhafer Devën shkoi në frontin e luftës për të inkurajuar luftëtarët shqiptarë që luftonin kryesisht me pushkët serbe. Kërkoi ndihmë nga Ferhat Draga në Tiranë, por ai nuk i ktheu përgjigje. Atëherë ai iu drejtua për ndihmë Drenicës, krahinës më të njohur për trimëri, e cila ishte afër Mitrovicës por në atë kohë përfshihej në zonën italiane. Ago Agaj pati një takim të fshehtë në Drenicë me Shaban Polluzhën, i cili i dha fjalën se do t’i vinte vetë në ndihmë me burrat që kishin armë.

- Ne u kthyem, ndërsa ai nuk vonoi dhe lëshoi kushtrimin: “Burrat që nga shtatë deri dhatëdhjetë, kundër shkjaut”. U nis xhadesë bashkë me luftëtarët e tij, i armatosur, por në kufi u ndal nga ushtria italiane. Me luftëtarët e vet u kthye malit përpjetë, doli deri në Kollashin, ku u godit nga çetnikët e vendit. U hodh në kundërsulm dhe i vuri përpara. Ditën tjetër, në mëngjes, erdhi para prefekturës në Mitrovicë, - tregon Agaj.

- Ndihma që na erdhi nga Drenica nën komandën e Shaban Polluzhës, na dha zemër e kurajo për t’u hedhur edhe në kundërsulm. Dhe ky aksion u bë kosovarçe: në këmbë, me zhurmë, me sharje të rënda për armikun, i cili ua mbathi këmbëve. Drazha shpëtoi, por kalin e la në vend. Krenaria dhe ndërgjegja kombëtare pas luftës së fituar u rritën shumë në një atmosferë krejt të lirë, pasi gjermanët nuk përziheshin kurrë në punët tona. Dhe ata pak që ishin, dukeshin rrallë, - kujton Agaj.

Për të shëruar të plagosurit shqiptarë, Agaj solli nga Vlora dr.Ibrahim Dervishin, ardhja e të cilit u prit me lot gëzimi nga të plagosurit. Ai kujton rastin e një djaloshi 13-vjeçar, të cilit dr.Ibrahimi i kontrolloi plagën.

- Vajtëm jatak mbi jatak për t’i vizituar të plagosurit në spital dhe arritëm te ky djalë i vogël.

- Po ti ç’kërkon? - i tha mjeku.

- Jam plagosur, - ia ktheu djaloshi.

Ai mbante një pushkë në gji. Flinte me të. Tani që vajtëm ne me doktorin për ta vizituar, mendoi se do t’ia merrnin.

- Aman, mos ma merrni pushkën! - klithi me frikë.

- Unë i premtova se armën do ta mbante, bile i premtova se do të gjeja për të edhe një nishan, - kujton Agaj.

- Problem për ne, - vazhdon të tregojë Agaj, - përbënin dy nipat e Isa Boletinit, 12-13 vjeçarë. Nuk di se si kishin hedhur në duar dy dyfekë të shkurtër italianë me bajoneta. Kishin tentuar disa herë të niseshin për në luftë, por u kthyen mbrapsht se u kisha dhënë urdhër rojeve t’i ndalnin e t’i sillnin para meje. Më në fund, këtë problem e zgjidhi Xhafer Deva duke u mbushur mendjen se, po të më mbronin mua, ata bënin një shërbim më të madh ndaj atdheut, pasi jeta ime ishte në rrezik. Qysh atë ditë i kisha gjithnjë me vete, por kurrë nuk isha i qetë se ata, me sytë si të Argusit, kontrollonin çdo lëvizje rreth meje. Kisha frikë se mos qëllonin ndonjë të pafajshëm që u dukej i dyshimtë, - tregon Agaj.

Në librin e tij, Ago Agaj ka përshkruar disa herë ankimet e serbëve për të cilët thotë se “është një karakteristikë e tyre që të ankohen pa shkak dhe të shpifin e të krijojnë akuza të rreme”. Populli shqiptar, vazhdon ai, “nuk di të ankohet, është tepër krenar, duron dhe nuk e ul kurrë veten poshtë”.

“Serbi, para autoritetit qëndron me atë kësulën ushtarake të shëmtuar në dorë, i përulur, i bindur. Por me rastin e parë, bëhet ujk i pangopur për gjak. Po dhe ky ujk është melez i përzier me gjak çakalli, kur gjen rast, mbyt sa të lodhet”, shkruan Agaj.

Për një kohë të shkurtër, Mitrovica me rrethe përjetoi një liri që nuk e kishte pasur asnjëherë gjatë historisë. Kjo liri, siç thotë Agaj, e ndezi popullin aq shumë, sa edhe gratë morën pjesë në kremtimin e 28 Nëntorit 1941. Ishte hera e parë që ato merrni pjesë në një mbledhje. Për herë të parë, pas 500 vjetëve, ato dolën sheshit të veshura me kostume kombëtare e të zbukuruara me flori e gurë të çmueshëm e me qendisje artistike, aq sa të huajt mbetën të habitur. Mirëpo, pas kësaj feste, siç tregon Agaj, ndodhi një ngatërresë e papritur me gjermanët. Komanda kishte marrë vendim të burgoste gjithë hebrenjtë dhe jevgjit. Në Mitrovicë nuk kishte shumë familje hebreje, por kishte rreth katër mijë jevgj që i quanin gabelë. Ata flisnin shqip dhe mbanin anën e shqiptarëve.

- U dhamë shpjegime gjermanëve se jevgjit ishin me origjinë egjiptiane, kurse ciganët ishin me prejardhje nga India dhe ishin nomadë që nuk ngulen në asnjë vend. Ky shpjegim nuk mjaftoi dhe lypseshin fakte të tjera. Me anën e Vehbi Frashërit u gjet libri i prof.E. Novack-ut, i cili ishte marrë me studimin e këtyre popujve. Kështu, jevgjit shpëtuan dhe ata, në shenjë falënderimi, dhanë një koncert, siç dinë vetëm ata. Hebrenjve ua shpëtuam jetën. I vendosëm në një ndërtesë të mirë. Pas largimit tim, Xhafer Deva gjeti mënyrën për t’i çuar këto familje në Shqipëri, ku gjetën strehim dhe mikpritje, - tregon Agaj.

Ai qëndron një kohë të shkurtër në krye të prefekturës, sepse Gjermania ndërhyri tek italianët, ngase “kjo liri e kjo administratë u muar si shembull edhe për Shqipërinë dhe rinia kërkonte edhe atje të njëjtin administrim”.

- Si e shpjegonin gjermanët ardhjen në Kosovë?

- Ata kishin një program të ndarë në dy pjesë: njëra thoshte se Shqipëria etnike duhet forcuar ushtarakisht, ndërsa pjesa tjetër thoshte ajo duhet të përparojë me anë të arsimit. Gjermanët kishin për qëllim që Shqipëria të bëhej një kala besnike në Ballkan, sepse grekëve nuk u besonin, ndërsa me sllavët nuk kanë qenë mirë kurrë.

- Si lindi dashuria ndaj shqiptarëve?

- Ilirologu gjerman Hans Krahe ka shkruar: “Ilirët për herë të parë u vendosën në shtetet e sotme baltike: Estoni, Lituani etj. Emri “baltik” vjen nga ilirishtja që do të thotë baltë, vende të ulta. Ilirët erdhën në Gjermaninë Lindore ku krijuan mjeshtrinë e poçeve, sepse deri atëherë njerëzit pinin ujë në lumë e burim. Prej andej u zgjeruan dhe erdhën në Gjermaninë e Jugut, ku qëndruan shumë kohë. Afërsia e karakterit të gjermanëve me shqiptarët, daton nga ajo kohë kur ilirët qëndruan shumë kohë në këtë pjesë. Afria e gjermanëve me shqiptarët tregohet edhe përmes besës. Asnjë popull tjetër nuk i jep rëndësi fjalës e burrërisë, se sa këta dy popuj. Në Ballkan, i vetmi popull antisllav kanë qenë shqiptarët. Gjermanët trima dhe të besës, këto cilësi i gjetën të zhvilluara dhe të dukshme në fytyrën e Xhafer Devës dhe besimi i tyre ndaj tij ishte i pakufi. Veç kësaj, ata gjetën tek ai edhe kulturë, inteligjencë, talent politik dhe njohjen e popujve e gjuhëve të Ballkanit. Ai fliste rrjedhshëm shqip, serbisht, turqisht, anglisht dhe pothuaj më mirë gjermanisht. Njihte mendësinë dhe kulturën jo vetëm të popujve të Ballkanit, por edhe të popujve të mëdhenj të Evropës.

- Po miqësia e sotme me gjermanët? Në ç’shkallë është ajo? - e pyes “vlonjatin e Kosovës”.

- Gjermania ka ndryshuar. Ajo është amerikanizuar shumë. Gjermanët janë bërë më shumë biznesmenë. Nuk janë më ata gjermanët e vjetër. Një gjeneral egjiptian që ishte shkolluar në Gjermani, kur isha në Egjipt, më tha se aleatët u munduan ta shkatërronin këtë shtet, mirëpo ai sot është ekonomikisht shumë i fuqishëm. Megjithatë, në një aspekt tjetër, aleatët patën sukses. Ndryshuan karakterin gjerman, - thotë Agaj dhe shton: - Pas luftës janë bërë ndryshime të mëdha në Evropë. Por në Shqipëri ka ndodhur e kundërta, është bërë hataja me shkatërrimin e moralit e të karakterit shqiptar. Enver Hoxha qe një sadist që kënaqej me vuajtjet e kundërshtarëve. Kur emisarët e tij kërkuan nga unë që të isha ndërlidhës ndërmjet komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë, meqenëse kisha shërbyer në Mitrovicë dhe i njihja mirë serbët, unë u thashë se do ta bëja këtë punë me një kusht që Kosova të mbetej pjesë e Shqipërisë. Dhe, ata nuk u dukën më.

***

Kujdestarja solli barnat për Ago Agajn.

- Me këto e mbaj gjallë shpirtin, - tha plaku 96-vjeçar, i cili për çdo ditë bën gjimnastikë. Çdo mëngjes del jashtë, qëndron një orë dhe kthehet brenda. Edhe në darkë nuk fle para se të ketë bërë një ecje të mirë. Netët janë shumë të gjata për të. Nganjëherë fle tri-katër orë, nganjëherë hiç fare.

Pas pak, kujdestarja erdhi sërish dhe na tha se Ago Agaj kishte kaluar disa orë pa lëvizur nga karriga ndaj ky takim me kaq duhej të mbaronte.

- Para se të largoheni, më jepni fjalën se do të vini prapë? - kërkoi ai me një shikim që s’më hiqet nga mendja, ndërsa kujdestarja e shtëpisë së pleqve kishte bërë gati karrocën për ta çuar 96-vjeçarin në dhomën e fjetjes...



P.S. Në vend të in memoriamit: Ago Agaj (1897-1994)

“Po vdes pa e parë të lirë Kosovën”

Ago Agaj, njëri nga shqiptarët më të moshuar në Amerikë, vdiq më 24 dhjetor 1994 në Clearwater (Florida) në moshën 97-vjeçare).

Nga i ndjeri, për herë të fundit u nda Agim Sula.

Lajmin mortor ma kumtoi i vëllai i tij Daver Agaj, sipas amanetit që i kishte lënë vetë i ndjeri.

- Dy javë para se të shkonte në botën e amshuar, Agoja ra shumë fizikisht sa që nuk mund të lëvizte dot nga shtrati.

- Ai luftoi tërë jetën për çështjen kombëtare, ndaj ai sot jeton jo vetëm në zemrat e të afërmve, por edhe të shqiptarëve, që e njohën, - shton ai.

Në një letër, disa muaj para se të ndërronte jetë, Ago Agaj i shkruante autorit të shkrimit:

“Jam në shtratin e vdekjes. Flas nga përvoja njëqindvjeçare e jetës sime. Kam pasur dhe kam bindjen se fati i kombit shqiptar do të vendoset në Kosovë. Nëse Kosova do të shpëtojë na kthetrat e kuçedrës serbe, atëherë do të kemi një komb tetëmilionësh dhe askush nga fqinjtë keqdashës nuk mund të arrijë atë që dëshiron. Në rast e Kosova, mos e dhëntë Zoti, mbetet nën pushtimin serb, paraqitet rreziku edhe për Shqipërinë. Pra, unë kur përpiqem për Kosovën, përpiqem për kombin, për Shqipërinë, për Vlorën... O sot, o kurrë, populli shqiptar duhet të bëjë përpjekje për shpëtimin e Kosovës. Kjo bindje i ka rrënjët te babai i kombit, Ismail Qemali, i cili, në mbledhjen e madhe me parinë e Vlorës, mori një telegram dhe, pasi e lexoi, filloi të qante. Ismail Aga Mezini, mik i tij, i tronditur i tha: “Mblidhe veten, na thuaj se ç’pësuan djemtë?” Ismail Qemali u përgjegj: “Jo, djemtë nuk pësuan gjë, po e pësoi atdheu ynë. Kosova mbeti jashtë kufijve të Shqipërisë”, shkruante Agaj dhe shtonte: “Shpresoj se lotët e babait të kombit do të bëhen armë e fortë për realizimin e ëndrrës së tij”.

Po në atë letër, Ago Agaj shprehte dëshirën që një ditë të shkonte në Kosovë, ndonëse shëndeti dhe pleqëria nuk e lanë.

“Po të isha në gjendje të mirë shëndetësore, unë do të isha sot në Kosovë. Jo për të trimëruar kosovarët, se është e njohur trimëria e tyre, as për të ndihmuar intelektualët, se sot Kosova ka nxjerrë intelektualë të shquar si Ibrahim Rugova, Anton Çeta, Zekeria Cana etj. Ata përpiqen për shqiptarizmën dhe unë krenohem me ta. Qëllimi im për të vajtur në Kosovë është që të pushoj pas vdekjes në dheun shqiptar”, - shkuante Agaj, autor i librit “Lufta e Vlorës” dhe “Miloshi - hero i Kosovës” të botuar në Amerikë.

Ago Agaj u varros në varrezat e qytetit në Clearwater (Florida). Në varrimin e tij merrnin pjesë të afërm dhe bashkatdhetarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja.

Marrë nga libri “Shqiptarët e Amerikës”

----------------------------------------------------------
I nerumi z Mexhid, ju pergezoj per punen qe beni, ashete shume e qemueshme dhe me velere qe naj mundeson te njifemi me figurat dhe veprimetare te medhaj te Kombit tone,
Rrespeket i nerumi Mexhid, ju lexoj em vemendje, kame pas rastin dhe fatin ta takoj kete burr te squem mese 2 here, akoma me tingellojen fjalet e te pa harrumit Dr. Ago Agaj,
Besom edhe mua em kapen emocionet kure lexova te njetat fjale qe kam ndegjua edhe une vete nga ky Atedhetar e shkollar i zoti, me rrespeket dhe u jam mirenjohes qe an dhuroni shkrime shume me velera historike ,
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Kosovari nga Vlora
Fillestar/e
Fillestar/e
Kosovari nga Vlora


Female
Numri i postimeve : 1
Age : 51
Vendi : Viene
Registration date : 14/02/2014

AGO AGAJ (1897-1994) Empty
MesazhTitulli: Re: AGO AGAJ (1897-1994)   AGO AGAJ (1897-1994) EmptyFri Feb 14, 2014 11:44 pm

Krenari, respekt e dashuri per gjyshin tim te nderuar,ate burre shteti, ate patriot qe e deshti aq shum kombin shqipetar dhe shqiptarizmen sic e quante ai.I perjetshem kujtimi i tij dhe i te gjithe atyre patrioteve shqipetare qe luftuan me vetmohim dhe pa asnje interese personal per atedheun, per shqiperine.Nje falenderim i vecante i shkon edhe gazetareve te redaksise suaj qe nuk e lene te humbasin figura te tilla.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





AGO AGAJ (1897-1994) Empty
MesazhTitulli: Re: AGO AGAJ (1897-1994)   AGO AGAJ (1897-1994) Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
AGO AGAJ (1897-1994)
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Teologji-
Kërce tek: