Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Mirë se erdhë në forum " Bashkimi Kombëtar "
Qëndro i lidhur me ne ! Disponim te këndshëm të kontribojm për kombin larg ofendimet dhe zënkat...
Bashkimi Kombëtar
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.



 
ForumForum  PortalliPortalli  GalleryGallery  Latest imagesLatest images  RegjistrohuRegjistrohu  identifikimiidentifikimi  

 

 Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT..

Shko poshtë 
3 posters
AutoriMesazh
voglushja
Anëtar aktiv
Anëtar aktiv
voglushja


Female
Numri i postimeve : 906
Age : 42
Vendi : ngat njanit
Profesioni/Hobi : psikologe
Registration date : 04/07/2008

Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. Empty
MesazhTitulli: Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT..   Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. EmptyWed Aug 13, 2008 6:43 pm

“Enveri na ndryshoi mbiemrin, sot na përdhosin”

Shfaqet mbesa e panjohur e Ismail Qemalit, Ariana Vlora. Rrëfimi për ndryshimin e mbiemrit të familjes në sistemin komunist dhe përdhosja që po i bëhet figurës së stërgjyshit nga pushtetarët aktualë.

Dritan Laci Hene, 11 Gusht 2008 12:17:00

http://www.shekulli .com.al/news/ 256/ARTICLE/ 30306/2008- 08-11.html

E ndjejnë veten të lënduar dhe të prekur rëndë në sedër. Nuk e kanë me rektorin Tanush Shaska, që një ditë të bukur vere iu tek të hiqte emrin e stërgjyshit nga ballina e Universitetit të Vlorës, por me gjithë sistemin politik, që mundohet edhe sot të përdhosë emrin e shtetarit të parë shqiptar, atij që i tregoi botës me ngritjen e flamurit, se një komb po rilind dhe shpall Pavarësinë. Ariana Vlora, mbesë e ligjshme e Ismail Qemalit, përpiqet të kuptojë se ç’po ngjet me figurën e stërgjyshit të saj, por sërish nuk gjen dot shpjegim. Gjatë sistemit komunist, pasardhësit e mbetur në Shqipëri të Ismail Qemalit, u lanë në harresë. Askush nuk u kujtua për ta, a thua se nuk ekzistonin. Por edhe sot, si për habi, fare pak dihet për jetën e plakut mjekërbardhë, e ç’është më e keqja, emri i Ismail Qemalit, nuk përmendet nga shtetarët e sotëm në ceremonitë që organizohen me vjetoret e shpalljes së Pavarësisë. Ariana, është bija e Ismailit, djalit të Qamilit, të nëntit nga fëmijët që pati në martesën e tij, Kryetari i së parës Qeveri Shqiptare. Ajo nuk ka dashur kurrë të shfaqet në publik si e tillë, por tani kupa është mbushur dhe si paraardhëse e Ismail Qemalit, ajo nuk mund të lerë më të hidhet baltë mbi figurën e atij që shkroi me germa të arta, historinë e re të Shqipërisë. Të gjithë mllefin e shfryn te shtetarët e sotëm, si djathtas dhe majtas, paçka se dëmet më të mëdha si familje i ka pësuar gjatë regjimit komunist që guxoi dhe u ndërroi edhe mbiemrin, si për të zhdukur çdo gjurmë të mbetur nga familja e ndritur e Ismail Bej Qemalit. “Në sistemin komunist e njihnim armikun. Ai na kishte dalë hapur dhe na kishte thënë troç se nuk ju duam. Kështu ishte ajo kohë. Ne ishim klasë bejlerësh dhe binim ndesh me ideologjinë komuniste. Si për na zbehur vlerat që mbartnim si familje, sistemi na ndërroi edhe mbiemrin, nga Vlora në Ismaili”,- nis bisedën Ariana, teksa qëmton me jo pak dhimbje, se për shkak të trashëgimisë që mbartnin, u është dashur të sakrifikohen edhe nga nevojat më elementare që një individ duhet të gëzojë në jetë. Për ndryshimin e mbiemrit asnjëherë nuk u morr vesh e vërteta, as dje, as sot. Në vitet 90’, babai i Arianës, Ismaili, që mbante emrin e gjyshit, mësoi ndërsa rrëmonte në dokumente të vjetra, se një Komision i Posaçëm ishte mbledhur për të marrë vendimin, pa shkruar asgjëkund shkakun. Familja e rimori mbiemrin Vlora, pas rënies së sistemit, duke kthyer drejtësinë dhe emrin e mirë të familjes, në vendin e duhur. Ariana na rrëfen se babain, drejtuesit komunistë, nuk e afronin kurrë në ceremonitë që zhvilloheshin për Ditën e Pavarësisë. Ai e vuante shumë këtë gjë, por ishte i vetëdijshëm për kohën që jetonte. Megjithëse kishte mbaruar studimet në Vjenë, ai kurrë nuk pranoi të përfitonte të mira materiale, duke dalë hapur kundra regjimit. Për këtë dhe faktin që bashkëshortja e tij rridhte nga një familje e persekutuar, me gjysh të pushkatuar në grupin e të 7-ve, Ismaili u ndëshkua, por jo në format e njohura represive, si burgosje apo internim. Ai dhe familja e tij, u lanë mënjanë në qoshen e tyre, duke vazhduar jetën normalisht, ku fëmijët u privuan nga shkollimi. Deri ditën kur doli në pension, nipi i Ismail Qemalit, njohës i gjashtë gjuhëve të huaja, punoi si tornitor. “Ashtu ishte koha,- justifikon sërish Ariana,- nga ai regjim ne prisnim gjithçka. Babai na kishte përgatitur që fëmijë, jo në mënyrë direkte, për atë që na priste. Ne u mësuam të rrinim në qoshen tonë dhe t’i krijonim mundësira vetes, aq sa kishim forcë”. Por kur mendonin se figura e Ismail Qemalit do të vihej në vendin e merituar, zhgënjimi për trashëgimtarët Vlora nuk do të njihte kufi. Nga një “armik” që u kishte dalë ballë, ata njohën një “armik” të ri. Ariana shkon deri aty, sa përdhosjen e emrit të Ismail Qemalit, e cilëson si gjenocid ndaj familjes së tij. “Tani unë mendoj se ne po luftohemi më shumë. Enver Hoxha, ishte si ishte, e respektoi figurën e Ismail Qemalit, e përmendte emrin e tij më 28 Nëntor. Tim atë nuk e thërriste në ceremoni, se e kishte kundërshtar. Babai e kishte problem, por e dinte që ky ishte kundërshtar dhe respektonte gjyshin. Gjatë regjimit ne nuk kishim dëme, internime apo burgosje, por as privilegje nuk kishim. Babai im fliste shumë. Kur mendonte që gjërat nuk shkonin mirë, nuk hezitonte të kundërshtonte. Enveri nuk e preku, për hir të gjyshit. Por mua më vjen çudi me shtetarët e sotëm!...”,- ngre supet me habi, Ariana. Propozimi për heqjen e emrit të Ismail Qemalit nga Universiteti i Vlorës, i ka lënë të shtangur. Ariana nuk gjen dot fjalë për të përshkruar gjestin, të cilin nuk heziton ta quajë antikombëtar. “Më bëri shumë përshtypje. Mendova që do të jetë ndonjë keqkuptim. Nuk e di si është e vërteta, por lexova artikullin që kishte bërë rektori. Ai thoshte që është keqinterpretuar, se e vërteta është krejt tjetër, por në të njëjtin artikull, po vetë, thotë që Ismail Qemali nuk ka dhënë kontribut në arsim, gjë që është absurde”. Ariana, më shumë se propozimi i rektorit Tanush Shaska, vazhdon të mbetet e shqetësuar për trajtimin që politika i bën figurës së Ismail Qemalit. “Unë këtë nuk kuptoj me këta që janë në pushtet sot, se çfarë të keqe kanë parë nga ne, që kanë kaq shumë frikë? Thashë që nuk çuditesha në sistemin e kaluar, por sot e them me dëshpërim se po bëhet fenomen antishqiptar. Sepse të jenë koka shteti dhe të mos përmendin emrin e personit që ka ngritur këtë flamur për të cilin krenohemi, është e patolerueshme. Figura e Ismail Qemalit, është identiteti ynë kombëtar. Unë nuk besoj se politikanët sot, kanë frikë se mos ne u marrim postin. Ne nga politika jemi djegur dhe nuk duam ta shikojmë me sy”,- përfundon mbesa e plakut të Vlorës, duke u bërë edhe njëherë thirrje politikanëve, t’i japin vendin që meriton njeriut që sakrifikoi pasurinë, për të parë Shqipërinë të Pavarur.Pema gjenealogjike VloraIsmail Qemali, mbetet ende një portret emblematik, për të cilin dihen fare pak gjëra. Ai kishte 9 fëmijë, ndër të cilët i vetmi që nuk pranoi të largohej nga Shqipëria, me mbërritjen e komunistëve në pushtet, ishte Qamil Vlora, i fundit nga djemtë. Të gjithë fëmijët e tjerë të flamurtarit mjekërbardhë, mërguan vit pas viti, jashtë atdheut, për të mbetur atje përfundimisht. Ai që trashëgoi emrin e gjyshit, ishte djali i fundit i Qamil Vlorës, Ismaili, i cili pati 5 fëmijë, ndër të cilën edhe Arianën. Kohë pas kohe, në media janë shfaqur trashëgimtarë të Ismail Qemalit, ku më e njohura është Nermin Vlora, pasardhëse nga pjesa femërore e familjes së madhe që pati plaku i Vlorës. Po kështu, kohët e fundit është shfaqur edhe figura e pedagogut të Universitetit të Barit, Nedim Vlora, edhe ky nga rrënja femërore. Ariana Vlora thotë se në Evropë ka shumë trashëgimtarë të Ismail Qemalit por që për hir të së vërtetës, kontaktet, sidomos vitet e fundit, i kanë rralluar, për të mos thënë i kanë humbur.
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Medalim
Anëtar aktiv
Anëtar aktiv
Medalim


Male
Numri i postimeve : 610
Age : 71
Vendi : Shqypeni
Registration date : 06/12/2008

Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. Empty
MesazhTitulli: Re: Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT..   Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. EmptySat Nov 28, 2009 11:36 pm




Written by Darling Ismail Vlora Saturday, 28 November 2009 13:25 Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. Pdf_button Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. PrintButton Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. EmailButton
Jeta e panjohur e dy djemve të Ismail Qemalit

Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. Ismail-qemaliEkskluzive/Darling Ismail Vlora, pasardhësi Qemalit, sjell për gazetën “Tirana Observer” historinë e Ismail Qemalit dhe të familjes së tij, me rastin e ditës së Pavarësisë. Darling Vlora sjell fakte të panjohura dhe të papublikuara më parë për veprën e Ismail Qemalit dhe të dy djemve të tij.


Marr shkas të shkruaj diçka për Familjen e Ismail Qemalit, për djemtë dhe vajzat e tij, veçanërisht duke u ndalur në dy prej tyre, jo vetëm thjesht për të treguar një aspekt të panjohur të jetës së tij, por ngaqë historia jonë (në këtë rast historia e Atij që Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë, pavarësinë e një populli të tërë, atij që sakrifikoi gjithçka për Atdheun), është shkruar dhe vazhdon të shkruhet shtrembër, një paradoks i paparë, kur vendi po i afrohet 100-vjetorit të Pavarësisë!!! Në ndonjë rast shkruhet shtrembër, për mosdije; në ndonjë rast qëllimisht. Rrallë ndodh në histori që kur shkruhet për një figurë historike të përmendet pak ose aspak familja e tij. Përkundrazi, historianët «gërmojnë» edhe në skutat më të thella për të hedhur dritë mbi paraardhësit dhe pasardhësit e një figure historike. Me Ismail Qemalin historiografia jonë veproi krejt ndryshe. Për familjen e tij as që u fol ndonjëherë!!! Por nëse atëherë historiografia ishte kthyer në një instrument, në shërbim të regjimit në fuqi, po sot? Përse «historianët» nuk e shkruajnë historinë e Njeriut të Pavarësisë, Atij që u krijoi shtetin? Në veprën «Collected Works», shteti indian, për të nxjerrë në pah, me tërë madhështinë e mundshme, ka përmbledhur, në 100 vëllime (me rreth 50.000 faqe), fjalimet, intervistat, shkrimet, artikuj gazetash, letra personale, etj., etj., pra gjithë aktivitetin e Njeriut të madh, Gandi, duke i bërë një shërbim të jashtëzakonshëm historisë dhe duke respektuar me nderim sakrificat që Gandi bëri për Kombin e tij. Ky është vlerësimi që meritojnë njerëzit e mëdhenj.
Për Ismail Qemalin, Simbolin e Pavarësisë, atë që patriotët, bashkëkohës të tij, e kanë cilësuar Cavour-in e Shqipërisë apo Gladstone, dhe që shqiptarët, kudo në botë, e kujtojnë me respekt në Ditën e Shenjtë të Flamurit, në këtë ditë që na bën të ndjehemi krenarë dhe shqiptarë, historiografia jonë s'ka bërë asgjë: rreth 5-6 punime që, ndoshta, po t'i mbledhësh faqet e tyre, janë më pak se vetë «Kujtimet» e Ismail Qemalit!!!
Pra, nisur nga ky fakt, me dëshirën për të hedhur dritë, sado pak, mbi një aspekt të panjohur të jetës së Themeluesit të shtetit shqiptar, duke shpresuar që historianët e ardhshëm, duke lënë mënjanë pasionet dhe skemat politike, të studiojnë siç duhet jetën dhe veprën e tij, atëherë, padyshim që do dali në pah, me tërë madhështinë, edhe kontributi i madh që ka dhënë Familja e tij, paraardhësit dhe pasardhësit, në dobi të çështjes kombëtare.
Më 1867-ën, siç shkruan edhe vetë në «Kujtime», ndërsa ndodhej me punë në Rusçuk (Bullgari), atëherë pjesë e Perandorisë Osmane, Ismail Qemali u martua me Kleoniqi Surmeli, me të cilën, siç do të shprehej edhe vetë, pati lumturinë të kishte 10 fëmijë, gjashtë djem: Mahmud bej (1871-1920), Tahir bej (1875-1932), Et''hem bej (1884-1937), Xhevdet bej (1888-1910), Qazim bej (1893-1953), Qamil bej (1895-1950) dhe katë vajza: Mevedet (1873-1954), Alije (xx-1955), Ylvije (xx-1934), një vajzë vdiq pak pas lindjes.
Padyshim, një njeri me një pozitë të lartë, me kulturë të gjerë, reformator dhe liberal si ai, do të tregonte një kujdes të veçantë për edukimin dhe shkollimin e fëmijëve të tij. Të nëntë fëmijët e Ismail Qemalit ishin të pajisur me një kulturë të gjerë, njohës të shumë gjuhëve të huaja, të shkolluar e, mbi të gjitha, atdhetarë. Gjatë përpjekjeve të tij në dobi të çështjes shqiptare, Ismail Qemali gjeti një mbështetje të madhe tek familja e tij, veçanërisht tek djemtë, dy prej të cilëve nuk ju ndanë, që nga viti 1900, kur ai u arratis nga Turqia dhe deri ditën që vdiq, më 24 janar 1919. Jo pak, por 19 vjet, ata e shoqëruan kudo.
Më 1900 Ismail Qemali u arratis nga Turqia, duke marrë me vete vetëm tre nga djemtë e tij: Et'hem bej, Xhevdet bej dhe Qazim bej. Pjesa tjetër e familjes (dy djemtë e mëdhenj Mahmud bej dhe Tahir bej, punonin në administratën shtetërore turke dhe, më pas, Sulltani do t'i internonte; vajzat ishin të martuara; djali i vogël ishte 5-vjeçar dhe gruaja) do qëndronin në Stamboll.
Të tre djemtë e tij, në atë kohë, ishin akoma të vegjël. Siç shkruan Anslemo Lorecchio, në gazetën e tij «La Nazione Albanese», kur Ismail Qemali arriti në Napoli, më 18 maj 1900, «shoqërohej nga tre djem të tij, Ibrahim Ethem bej, gjashtëmbëdhjetë vjeç; Ahmed Djevdet beg, dymbëdhjetë vjeç dhe Kiazim beg, shtatë vjeç» (Catanzaro, Itali, 30 qershor 1900, f.1). Gjatë periudhës së gjatë të viteve të emigrimit (8 vjet), ata do të rriteshin vetëm me të atin, duke krijuar kështu një lidhje të fortë, që do të vazhdonte përgjatë gjithë periudhës së Lëvizjes Kombëtare, ku Ismail Qemali luajti një rol kryesor. Xhevdet bej Vlora vdiq i ri, nga tuberkulozi, aty nga viti 1910, ndërsa Et'hem beu dhe Qazim beu do t'i qëndronin përkrah deri më 24 janar 1919, kur ai do të mbyllte sytë në Peruxhia të Italisë, ndërsa përgatitej, me tërë energjitë e tij, për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes, në Paris.

Et'hem bej Vlora. Lindi në Stamboll, më 1884. Studimet fillore i mori në vendlindje ndërsa më pas studioi në qytete të ndryshme të Europës si Lozanë, Paris e Bruksel. Në tetor 1912, përpara se Ismail Qemali të nisej për Bukuresht, për të filluar udhëtimin drejt Pavarësisë, Et'hemi u nis për Vlorë dhe mori pjesë në Komisionin përgatitor për Shpalljen e Pavarësisë, duke qenë koordinator i këtij Komisioni me Ismail Qemalin. Në një letër që Ibrahim Shyti i dërgonte mësuesit Musa Muho, më 1969, lexojmë: «Sa për djalin e Ismail Beut, Et'hemin, ai ka qenë ushtarak dhe ato kohë erdhi në Vlorë, me këshillë të Ismail Beut e të Gurakuqit, dy muaj para se të shpallej independenca. Ca kohë qëndroj në shtëpinë e Hamza Isait e ca kohë në atë të Ymer Radhimës. Në mbledhje me vlonjatët transmetonte letrat që i vinin nga Nica e Francës dhe me telegraf komunikonte me Ismail Ben. Et'hem Beu ishte i urtë e me plot fjalë të mençura. Ai kishte pasur shokë në Stamboll Toto Hosen nga Bolena. Po atë nuk e poqi do të sepse autoritetet turke e kishin larguar nga ushtria. Gjithë Paria e Vlorës, nuk bënte gjë pa pyetur Et'hem Beun» («Nga Epistolari i Ibrahim Shytit në Vlorë», Tiranë 2000, f. 241). Më 9 nëntor 1912, nga Vjena, Ismail Qemali dërgoi dy telegramet e njohura historike, njërin drejtuar Et'hemit dhe tjetrin parisë së Vlorës: «Vij me vaporin më të parë. E ardhmja e Shqipërisë është siguruar. Telegrafoni kudo të kenë besim të plotë për fatin e atdheut. Duke u rekomanduar marrëveshje vëllazërore, bashkëpunim, ecje në rregull të punërave shtetërore, ruajtje të rendit publik, përshëndetje atërore, Qemal» («Ismail Qemali -përmbledhje dokumentesh», Tiranë 1982, dok.183). Më 13 nëntor 1912 Et'hemi i përgjigjet të atit nga Vlora: «Falënderime të sinqerta për të ardhmen e Shqipërisë. Kemi ftuar kudo bashkatdhetarët të dërgojnë në Vlorë delegatë për Asamblenë. Delegatët e emëruar presin udhëzime pas komunikimit të telegramit tuaj. Na udhëzoni nëse është e nevojshme të bëhet mbledhja. Shpejtoni ardhjen në qoftë se Durrësi nuk është i bllokuar. Qetësi e plotë. Presim me padurim sqarimin e gjendjes. Të fala me respekt në emër të bashkatdhetarëve, Et'hem» (po aty, dok.185). Në krye të trupave ushtarakë rezervistë, me gradën e kapitenit, Et'hemi organizoi pritjen e delegatëve në Vlorë dhe, gjatë periudhës së Qeverisë së Vlorës, e gjejmë së bashku me Luigj Gurakuqin dhe Hysen Vrionin në përpjekje për njohjen e Qeverisë së Vlorës në Veri të vendit (po aty, dok.291/295). Mori pjesë në delegacionin e Qeverisë së Vlorës, kryesuar nga Ismail Qemali, pranë Konferencës së Ambasadorëve, në Londër (1913). Më 1914, pas dorëheqjes së Ismail Qemalit nga Qeveria, u largua nga Shqipëria, së bashku me të atin. Në dhjetor 1918 Qeveria italiane e ftoi Ismail Qemalin në Romë, për të koordinuar veprimet mbi të ardhmen e Shqipërisë. Nga Spanja, ku ndodhej me familjen, Ismail Qemali, shoqëruar nga Et'hemi dhe Qazimi, u nis për Itali. Pas vdekjes së Ismail Qemalit, Et'hem beu u zgjodh nga shqiptarët e Amerikës, të grumbulluar rreth «Partisë Politike», delegat në Konferencën e Paqes, në Paris, midis emrave të dëgjuar si Hasan Prishtina, Aqif Pashë Elbasani, Pandeli Cale, Mit'hat Frashëri, Ali bej Klisyra, Nuredin bej Vlora, etj., Më pas u vendos në Tiranë dhe nuk u mor me politikë. Më 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, ku u zhvillua edhe ceremonia e zhvendosjes së eshtrave të Ismail Qemalit, nga Kanina në Vlorë, Et'hemi dorëzoi, gjatë ceremonisë, Flamurin dy krenar që u ngrit në Vlorë, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Për këtë, gazeta «Besa», më 29 nëntor 1932, do shkruante: «Me Flamurin që është ngritur në Vlorë, më 28 nëntor 1912, janë bërë fotografitë e rastit dhe flamuri, nga Et'hem Vlora, i dorëzohet prefektit i cili ja jep ministrit të Arsimit Hilë Mosi, i cili do ta dorëzonte në Muzeun Kombëtar...».
Më 7 maj 1937, krejt papritur, Et'hem bej Vlora vdiq në Spitalin «Zog I», në Tiranë. Shtypi i kohës e përcolli me dhimbje vdekjen e tij. Gazeta «Shtypi», që dilte në Tiranë, shkruante: «Zhdukja e një patrioti fisnik» (Tiranë, 10 maj 1937, f. 4); Gazeta «Jeta e Re», që dilte në Vlorë, midis të tjerash shkruante: «Dje na erdhi lajmi i vdekjes së kapiten Et'hem Vlorës. I ndjeri ishte një burrë i urtë, i matur dhe i ndershëm. Të ndjerin e kujtojmë me mallëngjim gjithë Vlora dhe veçanërisht shokët e tij vlonjatë të 1912ës» (Vlorë, 10 maj 1937, f. 4). Ceremonia e varrimit u krye me nderime të mëdha. Gazeta «Drita», nën titullin «Një shumicë e madhe autoritetesh civile dhe ushtarake e shoqëruan kufomën e Et'hem Vlorës», e jep të plotë këtë ceremoni mortore, në faqe të parë të saj, shoqëruar edhe me një foto të ceremonisë (Tiranë, 9 maj 1937, f. 1). Et'hem bej Vlora u martua me Ismete Ohri (Toptani), me të cilën nuk pati fëmijë.

Qazim bej Vlora. Lindi në Stamboll më 1893. Që nga viti 1900, kur Ismail Qemali u arratis nga Stambolli, qëndroi gjithmonë pranë të atit. Ka qenë i pranishëm në çdo aktivitet, takim, udhëtim të kryer nga Ismail Qemali, duke e shoqëruar kudo, gjë që vihet re, jo vetëm në «Kujtimet» e Ismail Qemalit, por edhe në dokumentet dhe fotot e kohës. Gjithmonë kur e prezantonte tek miqtë Ismail Qemali shprehej: «Ky është arkiva ime e gjallë, ruan në kokë çdo material të botuar ose të folur, që më hyn në punë për problemin e madh shqiptar. Është im bir, Qazimi». Pas fitores së Revolucionit xhonturk, më 1908, shoqëroi të atin në Vlorë ku, siç dihet, Ismail Qemali u zgjodh deputet i Beratit në Parlamentin e Perandorisë Osmane. Ishte i pranishëm në takimet e Ismail Qemalit me Hasan Prishtinën, për organizimin e kryengritjes së përgjithshme, gjatë viteve 1909-12, gjë që vërtetohet edhe nga foto të kohës. Gjatë viteve 1910-12 zhvilloi një aktivitet të gjerë për furnizimin e kryengritësve shqiptarë me armë: «...akuzohet një shoqëri gjoja klandestine, -lexojmë në një relacion të konsujve në Vlorë, -e cila gjendet nën drejtimin suprem të Qazim beut (djalit të Ismail Qemalit) që, ndër të tjera, përfshika përsëri edhe personat e komprometuar në çështjen shkollore, sepse mbledh të holla për tu ndihmuar shqiptarëve të Veriut kundër trupave osmane si dhe importon fshehurazi armë dhe municione për një kryengritje të mundshme...» («Ismail Qemali -Përmbledhje Dokumentesh», Tiranë 1982, dok. 114). Ishte i pranishëm në Podgoricë, gjatë përgatitjeve për Kuvendin e Gërçes (23 qershor 1911) dhe është autori i përkthimit në shqip të këtij Memorandumi («Le Figaro», Paris, 8 korrik 1911, f.2). Për t'u shpërndarë kryengritësve Memorandumin, shtypur si libër më vete, dhe për të marrë aprovimin e tyre, Ismail Qemali e dërgoi në Podgoricë, së bashku me Qazim Kokoshin (Bardhosh Gaçe, «Lëvizja Kombëtare në Vlorë, 1878-1912», Tiranë 1999, f. 155). Më 25 tetor shoqëroi të atin për Bukuresht. Mori pjesë në mbledhjet e kolonisë shqiptare të Bukureshtit si dhe në të gjitha takimet që Ismail Qemali zhvilloi përgjatë gjithë udhëtimit të tij për Shpalljen e Pavarësisë. Mori pjesë në delegacionin diplomatik, drejtuar nga Ismail Qemali, në mbrojtje të çështjes shqiptare, pranë Konferencës së Ambasadorëve, në Londër (1913). Gjatë Luftës I-rë Botërore qëndroi në Francë, Itali e Spanjë. Së bashku me të vëllanë, Et'hemin, shoqëroi të atin në Peruxhia (Itali). Më 1921 Qazim bej Vlora hodhi kandidaturën për deputet, në Vlorë, por nuk fitoi. Mbase në këtë kohë gëzonin më shumë simpati në popull luftëtarët e shquar të Luftës së Vlorës si, Qazim Koculi, Qazim Kokoshi, etj. Në ato pak rreshta të prezantimit të tij si kandidat lexojmë:
«Duke parë se gjithë Zotërinjtë kandidatë kanë botuar programin e tyre e pashë të nevojshme të them edhe un disa fjalë: Nuk shoh asnjë nevojë për të paraqitur një program; sepse le ta lemë mënjanë që nuk është e mundur të shtrëngohet ky me nja dy shtylla të një gazete, por edhe duhet që të gjithë bashkatdhetarët e mi të dinë mendimin që kam pasur si udhëheqës gjithnjë e do ta kem ku është përpjekja me të tërë mjetet e mënyrat: të mbrojturit e Atdheut e të drejtat e tij. E akoma unë në është se e vura kandidaturën time kjo nuk është nga asnjë ndjenjë e interesit të veçantë por nga patriotizmi i thjeshtë, me qëllim që të jem ndërmjetës midis popullit e Qeverisë së tij e kështu të mundem të mbroj e të përkrah interesat dhe hallet e tij, të siguroj lumturin e fatbardhësinë e tij me mjetet që sot qytetërimi dhe përparimi na shtron përpara.
Me këtë rast përfitoj t'i paraqes falënderimet e mia shumë Zotërinjve që më kanë dhënë kurajo e veçanërisht bashkëqytetarët e mi të cilët gjithnjë më tregojnë një dashuri të vërtetë, lavdi emrit që mbaj i cili përmend kujtimet e të palodhurit mbrojtësit të tyre.
Pra, është me plot besim që paraqitem përpara jush duke shpresuar se ky popull që e kam dashur në gjithë jetën time, që i kam vrapuar në më të voglat rreziqe duke hyrë gjithnjë në rreshtat e tij, do të më gjej të meritueshëm për besimin e tij. Kiazim Kemal Vlora, Vlorë, 17.02.1912» («Mbrojtja Kombëtare», Vlorë, 20 shkurt 1921, f. 1).
Rreth vitit 1936 u martua me Behije Masllafin, e veja e Inajet bej Ohrit, me të cilën nuk pati fëmijë. Pas «çlirimit» të Shqipërisë u vendos në Strugë dhe pas prishjes së marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, më 1949, nuk u kthye më në atdhe. Më 1949 policia maqedonase i sekuestroi një pjesë të dokumentacionit, që kishte me vete. Sipas historianëve struganë ai kishte një dokumentacion të pasur dhe një bibliotekë shumë të madhe, fati i të cilave nuk dihet. Mbetur në vetmi të plotë, larg familjes e atdheut, Qazim bej Vlora vdiq në dhjetor 1953. Shoqata e Historianëve Strugan, pas kërkimeve të shumta, më 1997-ën, zbuloi vendin ku preheshin eshtrat e Qazim bej Vlorës, duke i vendosur dhe një pllakë mbi varr. «Me këtë akt, -ka theksuar Kryetari i Forumit Intelektual të Strugës, - pastruam ndërgjegjen tonë prej shqiptari, që për shumë vjet, për arsye objektive, nuk e kemi ditur se në varrezat tona të Strugës prehen, jo vetëm eshtrat e njërit nga djemtë më të mirë të Ismail Qemalit, Qazim bej Vlora, por bashkë me to edhe një pjesë e ndritur e historisë tonë kombëtare, për të cilën ne jemi krenarë».
28 nëntor 2008
Mbrapsht në krye Shko poshtë
feride
Anëtar
Anëtar
feride


Female
Numri i postimeve : 427
Age : 38
Vendi : alanese
Registration date : 13/12/2009

Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. Empty
MesazhTitulli: Re: Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT..   Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. EmptySat Jan 30, 2010 11:53 pm


Ky Dimer

C'i gjate ish ky dimer, c'i pafund.
E lodhur pudra mbi fytyren tende.
I mpire eshte gezimi, thua s'ngjallet dot.
Apo si ai q'u dergj nga nje lengate e gjate.
S'do mekembet kurre ashtu sic qe?

C'i gjate ish ky dimer, c'i ftohte ish.
Ne pusin e ndergjegjes mezi ndihen
Tingujt kambanash si renkim te mbyturish.
Ato gjithashtu vdiqen, dot s'i ngjall,
Sa gjera u vyshken, me e keqe se vete vdekja
Ish vyshkja e tyre e ngadalte, o Zot.

C'i gjate ish ky dimer, c'i pashprese ish.
Kinezet qe s'duken me ne udhekryq rrugesh
Por vete ata s'kane vdekur: qelqe dritaresh
Te stilit q'ata sollen vezullojne ngriraz
Duke derguar ftohtesine e tyre
Mbi mijera fytyra si prej maske kalimtaresh

Sa kohe valle do ti duhet
Genit te races ate maske te shpelaje
Apo ne luften e maskes me lekuren
Maska do te fitoje me ne fund?
Ç'i gjate ish ky dimer, ç'i acarte ish,
Mbi varrin e tiranit monoton
Shiu po bie. Ka gjume a s'ka nen dhe?

Ç'i gjate ish ky dimer, ç'i vrerosur ish.
E lodhur pudra mbi fytyren tende.
Nen pluhur tempujsh, i lodhur shpirti im.


Cili nga antaret e keti forumit keni mundesi se çka ka dashte me thene me kete poezi,?Nese e dini ju lutem na tregoni!
Mbrapsht në krye Shko poshtë
feride
Anëtar
Anëtar
feride


Female
Numri i postimeve : 427
Age : 38
Vendi : alanese
Registration date : 13/12/2009

Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. Empty
MesazhTitulli: Re: Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT..   Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. EmptySun Jan 31, 2010 12:09 am

Tradhëtar, ti na nxive, na le pa atdhe,
ti na çthurre, na çkule, na çduke çdo fè.
Varfëri, poshtërsi, robëri ti na dhe,
derbeder, ujk e derr, Hosana Baraba!



Pse kaqë gjatë, Zot, m'arratise,
Pse më përplase, më përpëlise,
Pse shpresën dyzetvjet ma ushqeve,
Dhe sot ma preve?
Mbrapsht në krye Shko poshtë
Sponsored content





Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. Empty
MesazhTitulli: Re: Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT..   Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT.. Empty

Mbrapsht në krye Shko poshtë
 
Shfaqet mbesa e ISMAIL QEMALIT..
Mbrapsht në krye 
Faqja 1 e 1
 Similar topics
-
» Universitetit te Vlores i hiqet emri i Ismail Qemalit
» Kush ka qenë Isa Boletini?
» Kush ka qenë Enver Hoxha?
» ISMAIL QEMALI-shpallja e pavarsisë
» Një telegram i rrallë për Ismail Qemalin

Drejtat e ktij Forumit:Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi
Bashkimi Kombëtar :: Shqiptarët :: Histori-
Kërce tek: